Tetova e para në botë, feston helmimin

Sot është dita e 300 e vitit 2015 që banorët e Tetovës me rrethinë po helmohen nga ajri kancerogjen, ndërkohë që brenda një viti lejohen vetëm 35 ditë me ajër të ndotur. Në bazë të projeksioneve, deri në fund të këtij viti do kemi 345 ditë me ajër të ndotur, që do të thotë se këtu vetëm 20 ditë mund të merret frymë. Çdo vit shënojmë rekorde të reja – prandaj sot jemi këtu për ti prezantuar autoriteteve tona, Komunës së Tetovës, këtë TROFE që ata e kanë merituar.

Ministrat dhe deputetët e njësisë numër 6 kanë merituar këtë trofe sepse s’kanë bërë asgjë për të shpëtuar qytetarët e Tetovës nga helmi që lëshon Jugohromi dhe ndotësit e tjerë. Komuna e Tetovës e meriton këtë trofe sepse zonja Arifi gjatë fushatës na premtoi qytet më të pastër në vend, ndërkohë që Tetova është ndër qytetet më të ndotura në Botë.

E kemi titulluar TETOVA FESTON HELMIMIN sepse konsiderojmë që Manifestimi Kulturor “Tetova Feston Nëntorin” i organizuar nga Komuna e Tetovës është një tallje e shëmtuar për të krijuar mjegull dhe defokusim në sytë e qytetarëve të tmerruar për aerokalispën që po i ndodh qytetit tonë. Konsiderojmë se mjetet që harxhohen gjatë 20 ditëve të këtij evenimenti do kishin gjetur vend më mirë në shërimin e atyre qe janë kapur nga kanceri, sëmundje te frymëmarrjes apo gratë që kane pasur aborte spontane.

Duke qenë se prapë jemi para një dimri tjetër, problemet mbeten të njëjta me vite. Asnjë masë nuk ndërmerret. Ata që duhet të ndryshojnë gjendjen, japin deklarata boshe dhe asgjë më shumë. Prandaj, mendojmë se është krejtësisht e pavend që Komuna të festojë derisa qytetarët helmohen. Urojmë që deputetët, ministrat e njësisë numër 6 por edhe kryetarja e komunës të reflektojnë dhe mos na shohin vetëm si vota. Në të kundërtën le të thyejnë qafën dhe t’ia lëshojnë vendin dikujt tjetër që ka minimumin e vetëdijes ekologjike! Shpresojmë që pas kësaj qytetarët do dinë të dënojnë edhe me votë.

img1

img7

img15