Stop mashtrimit te qytetarëve

Të nderuar,

Lidhur me informacionin që Ministria e Transportit dhe Lidhjeve nuk ka pranuar kurfarë kërkese nga Komuna e Tetovës për të furnizuar këtë të fundit me autobusë urbanë, lëvizja Eco Guerilla lëshon këtë: REAGIM

Vlerësojmë se Komuna e Tetovës edhe njëherë është treguar joserioze ndaj nevojave të qytetarëve për qarkullim me autobusë urbanë, si dhe për të ndihmuar sadopak në zbutjen e ndotjes së ajrit që shkaktohet në masë edhe nga numri i madh i automjeteve në rrugët tona.

Duam t’i përkujtojmë Komunës së Tetovës dhe kreut të saj që e kanë fituar pushtetin duke ju premtuar qytetarëve ndër të tjera edhe transport publik efikas. Kërkojmë nga autoritetet lokale të mos tallen me nevojat e qytetarëve por t’ju shërbejnë atyre siç duhet, dhe siç ju është premtuar.

Poashtu duhet t’i përkujtojmë Komunës së Tetovës që rrugët dhe lagjet para shtëpive tona akoma nuk janë pastruar nga pluhuri i grumbulluar ndër vite i cili përbën rrezik të përditshëm për fëmijët dhe qytetarët e Tetovës.

Komuna e Tetovës duhet të marrë përsipër detyrimet dhe përgjegjësitë, dhe në bazë të ligjit dhe kompetencave të tyre sa më shpejtë të gjejnë zgjidhje për këtë problem që i tangon qytetarët e Tetovës.

23 Janar 2018, Tetovë