Përgjegjësi edhe nga Kryeministri Zaev për ujin e Tetovës

Gjatë ditës së djeshme një numër i madh i qytetarëve të indinjuar dhe bizneseve private na kanë kontaktuar për të mësuar për problemin e ujit të pijshëm me erë kimikatesh në Tetovë. Duke mos pasur informacione të besueshme se çka në të vërtetë përmabn uji, ne nuk mund të japim informacion për këtë problematikë me të cilën shpesh po përballemi si qytet.

Në anën tjetër kemi heshtje dhe papërgjegjësi nga Kryetarja e Komunës së Tetovës znj. Teuta Arifi, e cila në një situatë kaotike si kjo, nuk doli të prononcohet dhe të sqarojë problemin e ujit. Qytetarët janë të hutuar dhe në panikë se si të sillen me ujin e pijshëm për ta dhe fëmijët e tyre.

Ne kërkojmë përgjegjësi direkte edhe nga Kryeministri Zoran Zaev për skandalet e njëpasnjëshme që po ndodhin në qytetin tonë, si pasojë e paaftësisë së Komunës dhe Kryetares Arifi. Problemet me ujin e pijshëm, me bërllogun, papastërtinë e madhe në qytet, uzurpimin e hapësirave publike, jo transparencën financiare, trafiku urban, parkingjet, etj. Kryeministri personalisht ishte në krye të fushatës për të zgjedhur këtë kryetare që kemi. Në vende udhëheqëse emërohen njerëz të paaftë dhe jokompetent për detyrat që kanë.

Urgjentisht kërkojmë që Qeveria t’ja marrë ingerencat e Komunës së Tetovës për paaftësinë për të menaxhuar qytetin me problemet e përditshme me te cilat po ballafaqohet.

Nëse kjo gjendje e padurueshme vazhdon, reagimi qytetar do të jetë shumë i ashpër.