Letër e hapur nga EcoGuerilla për deputetët e Parlamentit të Maqedonisë dhe Avokatit të Popullit

Pas publikimit të aferës së përgjimeve masive të qytetarëve nga ana e MPB-së, të cilat i publikoi lideri i opozitës, reagoi Avokati i Popullit Ixhet Mehmeti. Kur të gjithë kishin harruar se ekziston një institucion i këtillë, ky njeri doli dhe reagoi.

Ajo që me dëshirojmë të nënvizojmë në këtë letër publike është heshtja e tij e gjatë dhe e çuditshme përballë helmimit të mbi 300 mijë banorëve të Tetovës dhe rajonit të Pollogut në përgjithësi.

Anëtarë të Lëvizjes EcoGuerilla kanë kontaktuar dhe propozuar disa herë që çështja e helmimit të Tetovës të procesuohet edhe nëpërmjet mekanizmave dhe fuqisë së institucionit Avokat i Popullit. Ishim optimistë se një gjë e tillë do të aktivizojë z.Mehmeti, pasi edhe ai banon në Tetovë dhe bashkë me familjen e tij i është eksponuar këtij helmimi masiv. Menduam se do ta mirëpresë partneritetin me ne si Lëvizje, me qëllim që të detyrohet fabrika e Jugohromit të vendosë filtra, me ç’rast do të zgjidhej ky problem që rrezikon jetët e mbi 300 mijë banorëve.

Duke marrë parasysh se numri i të sëmurëve nga kanceri në Tetovë është rritur për rreth 80 për qind në tri vitet e fundit, se sëmundjet organeve të frymëmarrjes janë shkaktarë kryesorë të vdekshmërisë së fëmijëve të moshës shkollore, se numri rekord i të sëmurëve nga gripi shkakton komplikime tjera shumë fatale për tetovarët, dhe në planin afatgjatë ky helmim mbjell kancerin në gjenet tona e që do të prekin gjeneratat që vijnë pas nesh, menduam se z.Mehmeti do të angazhohet së pari si prind, si banorë i Tetovës dhe si Avokat i Popullit që të japë kontribut në drejtim të zgjidhjes.

Por, njëjtë si ish-ministrat e ekologjisë që vinin nga Tetova, njëjtë si ministri aktual me banim poashtu në rrethinë të Tetovës, njëjtë si deputetët dhe funksionarët tjerë të këtij rajoni të prekur nga helmimi masiv, edhe z.Mehmeti zgjodhi rrugën e rehatisë dhe konformizmit për t’iu përgjigjur protestave tona si qytetarë.

U njoftojmë publikisht se listës së përgjegjësve të helmimit të tetovarëve i është shtuar edhe një emër – Ixhet Mehmeti. Edhe ju do të jeni përgjegjës për çdo vdekje të shkaktuar nga kanceri, për çdo komplikim shtatzënie dhe aborti, për çdo astmë apo sëmundje tjetër të shkaktuar nga helmi i Jugohromit.

Qëndrimi këmbëkryq në krye të institucionit Avokat i Popullit do të marrë përgjigjen e duhur nga populli i helmuar i Tetovës, njëjtë siç do ta marrin edhe funksionarët tjerë përgjegjës.