Komuna e Tetovës të bëj detyrat e veta për të ulur ndotjen

Në mungesë të masave dhe rekomandimeve që duhet të ndërmerren nga Komuna e Tetovës për të zbutur, e më tej për të zgjidhur problemin me ndotjen e ajrit në Tetovë, ne ju bëjmë thirrje qytetarëve të Tetovës që gjatë këtyre ditëve sipas mundësive të kufizojnë sa më shumë lëvizjen me veturat e tyre. Si pasojë e keqmenaxhimit nga Komuna e Tetovës që për vite me rradhë na lë pa transportit publik, paparkingje nëntokësore ose në kate, pa zhbllokimin e bulevardeve kryesore dhe me neglizhencën e inspektoratit ekologjik komunal për të parandaluar ndërmarrjet që ndotin, tetovarët gjatë viteve të fundit ekspozohen në ndotje ekstreme të ajrit me pasoja serioze për shëndetin dhe jetën e qytetarëve, posaçërisht të fëmijëve.

Siç dihet Tetova është qytet që ngrohjen diku rreth 80-90% e ka me dru. Në ditët e ftohta të dimrit, kur edhe procesi inverziv i shtypjes së ajrit është i ulët, shkaktar tjetër për ndotje është edhe ngrohja me dru. Mospasja e alternativave tjera për ngrohje si ajo me gaz apo energji të tjera alternative, janë rezultati i paaftësisë së pushtetit lokal dhe atij qendror që me vite nuk zgjidhën këtë problem serioz për qytetarët.

Presim nga Komuna e Tetovës që të pastrojë rrugët e stërmbushura me pluhur, pasi aty më së shumti gjinden grimcat PM10. Largimi i veturave të havarisura dhe të paregjistruara që bllokojnë rrugët, trotuaret dhe hapësirat publike poashtu është detyrim ligjor i komunës, gjë që deri më sot nuk është realizuar. Moshapja e qarkores së qytetit e cila do lidhte fshatrat në drejtimin Poroj-Jazhincë është një problem i vazhdueshëm për trafikun e stërngarkuar të Tetovës.

Eco Guerilla ju fton të jeni më të kujdesshëm gjatë kësaj periudhe kur trafiku është i stërngarkuar edhe si rezultat i festave të fundvitit dhe i ardhjes së mërgimtarëve në vendlindje. Edhe pse sot nuk kemi nivelin e ndotjes si para dy-tre viteve, kur niveli i PM10 arrinte deri në 800-900, ne me ngulm kërkojmë që të ulet në nivelet e lejuara. Përveç institucioneve shtetërore, edhe ne si qytetarë duhet të tregohemi të përgjegjshëm edhe si individë, për çdo dukuri negative që ndikon ambientin tone.