Eco Guerilla, roje e interesit publik

Me ftesë të organizatës Eco Guerilla, sot në Tetovë kandidatët për kryetar të Komunës së Tetovës kanë nënshkruar dokumentin “5 përkushtimet ndaj tetovarëve”, i cili kërkon nga kreu i ardhshëm i Komunës së Tetovës që ti garantojnë qytetarëve se administrata e ardhshme komunale do të angazhohet për trasparencë të plotë fiskale (publikim të rregullt të raporteve financiare, borxheve publike, menaxhimit me buxhetin), që të organizojnë fshirje dhe pastrim të rregullt të rrugëve dhe lagjeve të Tetovës, së paku njëherë në muaj, të organizojnë transportin publik me autobusë që përmbushin standardet ekologjike, të mirëmbajnë e mbrojnë hapësirat e gjelbërta por njëkohësisht të krijojnë dhe të reja, më shumë kompetenca dhe fuqi për inspektoratin ekologjik komunal si dhe transparencë në gjobat që do ju vihen ndotësve të kategorisë B, dhe që të fillojnë procedurat për shndërrimin e kazermës së Tetovës në park të qytetit.

Eco Guerilla vlerëson se pranimi dhe nënshkrimi i këtij dokumenti është shumë domethënës për funkcionimin e demokracisë në vendin tonë, me çka edhe organizatat e shoqërisë civile përfshihen më shumë në procesin e politikëbërjes dhe vendimmarrjes.

Pavarësisht faktit se të gjithë kandidatët që synojnë kreun e Komunës së Tetovës kishin konfirmuar pjesëmarrjen, dokumenti është nënshkruar nga z. Adnan Neziri (ASH), znj. Teuta Arifi (BDI) dhe z. Bardhyl Dauti (PDSH) i cili për arsye konkrete nuk mundi të ishte i pranishëm bashkë më dy nënshkruesit tjerë.

Eco Guerilla njofton opinionin publik në Tetovë (dhe më gjerë) se aktivitetet tona të ardhshme do fokusohen në monitorimin e këtyre proceseve për të cilat kemi kërkuar përkushtimin e kandidatëve dhe njëkohësisht do të raportojmë për çdo veprim që shkon në kundërshtim me angazhimin e marrë përsipër.

1

2